
Qeveria ndryshon kufijtë financiarë për vlerësimin e projekteve të investimeve publike
Ministria e Financave rishikon kufirin financiar për projektet publike, duke ndarë vlerësimin në dy nivele sipas rëndësisë dhe buxhetimit.
Ministria e Financave ndryshon kufirin financiar të projekteve mbi bazën e të cilit përcaktohet mënyra dhe procedura e vlerësimit të projektit të investimit publik, duke i ndarë në dy grupime: ato që përbëjnë Listën Unike me Rëndësi Kombëtare dhe që u nënshtrohen një procesi të plotë vlerësimi përpara fillimit të procesit buxhetor dhe ato që përgatisin një studim fizibiliteti të thjeshtuar.
Ky vendim bazohet në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 887, datë 27.12.2022, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, i cili ndryshoi më herët këtë vit.
Sipas udhëzimit të ri, të botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë në fuqi, përfshihen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare projektet në sektorët digjital, zhvillimin ekonomik, energjinë dhe mjedisin, sektorin social që kanë një vlerë mbi 1.5 miliardë lekë, ndërsa në sektorin e transportit do të përfshihen projektet mbi 2.5 miliardë lekë.
Udhëzimi i ri përcakton kufijtë financiarë të projekteve që përgatisin studim fizibiliteti të thjeshtuar, por që nuk janë pjesë e Listës Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare. Këtu përfshihen projektet në sektorët digjital, zhvillimin ekonomik, energjinë dhe mjedisin, sektorin social mbi 700 milionë lekë deri në 1.5 miliardë lekë, ndërsa në sektorin e transportit mbi 2 miliardë lekë deri në 2.5 miliardë lekë.
Udhëzimi i mëparshëm, nr. 5, datë 8.4.2024, i shfuqizuar tashmë, parashikonte që çdo propozim për projekt investimesh publike, me vlerë mbi 700 milionë lekë në sektorët digjital, zhvillim ekonomik, mjedis dhe social, mbi 1.2 miliardë lekë në sektorin e energjisë dhe mbi 2.5 miliardë lekë në sektorin e transportit duhet t’i nënshtroheshin një procesi të plotë vlerësimi përpara fillimit të procesit buxhetor, përfshirë edhe studimit të plotë të fizibilitetit.
Më mars të vitit 2025, qeveria ndryshoi Procedurat e Menaxhimit të Investimeve Publike.
Sipas vendimit, projektet e investimeve përfshihen në PBA-në apo buxhetin vjetor në përputhje me hapësirën fiskale, vetëm pasi të jenë bërë pjesë e listës unike të projekteve me rëndësi kombëtare, të miratuara (por jo më të rankuara) me vendim të Këshillit të Ministrave.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me studimin e fizibilitetit, i cili, tani sipas rastit, mund të zëvendësohet me studimin teknik. Studimi i fizibilitetit shërben si një mjet i rëndësishëm kontrolli dhe projektimi për çdo projekt investimi përpara miratimit.
Pavarësisht parashikimit të paraqitjes së studimit të fisibilitetit për të gjitha llojet e projekteve, në vendim parashikohet si shtesë pika c/1 e cila citon se “përjashtimisht, për nevoja emergjente ose për nevoja të ofrimit të shërbimeve jetike, kur është e pamundur koha për përgatitjen e studimit të fisibilitetit, projektet e investimeve strategjike maturohen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare nëpërmjet paraqitjes së studimit Teknik”.
Në fakt ky përcaktim lë vend për interpretime se cilat janë “shërbimet jetike”, duke krijuar hapësira për përfshirje në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare të projekteve të caktuara vetëm me një studim teknik./ekofin.al(https://ekofin.al/qeveria-ndryshon-kufijte-financiare-per-vleresimin-e-projekteve-te-investimeve-publike/)
Më të lexuarat








